DOKUMENTE PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT

Bashkëpunëtorët

  • Dr. Andi Rembeci

Ka lindur në Tiranë, më 1980. Studimet e larta i ka kryer në Departamentin e Gjuhës dhe Kulturës Greke, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës (2000-2004). Studimet e Thelluara Pasuniversitare i përfundoi më 2009 në Department of History of Ionian University, Korfuz-Greqi (Master Shkencor në Burime Historike Bizantine dhe Paleografi) dhe, ndërkohë, po kryen studimet në nivelin e doktoratës po në Ionian University, në fushën e Historisë Bizantine. Në vitin 2011-2012 ka kryer kërkime shkencore dhe studime me bursë të Alexander S. Onassis Public Benefit Foundation në Institute of Historical Research – National Hellenic Research Foundation, Athens, nën udhëheqjen e Drejtorit të Institutit të Studimeve Bizantine, Prof. Kriton Chrysochoides. Ka marrë, gjithashtu, pjesë në ekspedita kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit (Shqipëri, Greqi, Itali, Austri, Egjipt, Jerusalem), të organizuara nga Ionian University (Korfuz), Universitety of Ioannina, Historical and Palaeographical Archive of the Cultural Foundation of the National Bank of Greece (MIET), Instituti i Studimeve Bizantine dhe Pasbizantine në Venecia. Ka qenë bashkëorganizator i veprimtarisë kulturore-shkencore në lëmin e paleografisë, zhvilluar në Arkivin Qendror Shtetëror, me temë: “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri” (maj 2010).

Që nga muaji nëntor 2010, është Lektor i Historisë dhe Paleografisë Bizantine në Departamentin e Historisë të Universitetit të Tiranës. Interesi i tij shkencor fokusohet në fushën e paleografisë, e historisë bizantine, e burimeve historike bizantine dhe pasbizantine. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Është përgjegjës i Shkollës Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin, që organizohet që nga viti 2017 në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Është bashkautor i botimit faksimile të kodikut bizantin të Korçës “The Illuminated Gospel of Korça. Korça Codex 93 (10th century)” (Facsimile edition, three volumes, 1.272 pp, Militos Edition, Athens 2012, ISBN set: 978-960-464-353-0), i vlerësuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë si botimi më i mirë shkencor për vitin 2016, për kategorinë e kërkuesve të rinj, si edhe i një sërë artikujsh shkencore të botuar brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2016 iu akordua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë çmimi shkencor kombëtar për kërkuesin e ri më të suksesshëm për vitin 2016. Që nga viti 2013, është anëtar i Këshillit Drejtues dhe Sekretar i Albanian Association of Byzantine Studies, degë e International Association of Byzantine Studies dhe, nga viti 2017, Bashkëkryetar i Akademisë së të Rinjve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.