DOKUMENTE PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT

Bashkëpunëtorët

  • Prof. Dr. Ferit Duka

Prof. Dr. Ferit Duka është diplomuar në Universitetin e Tiranës për Histori dhe më pas ka kryer një specializim të gjatë për Osmanologji pranë universiteteve të Ankarasë dhe Stambollit.

Prof. Duka e ka nisur punën e tij më 1976 si arkivist në sektorin e dokumentacionit osman në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë. Pas tre vjetësh është transferuar në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (më pas pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike) ku ka punuar si kërkues shkencor në fushën e historisë shqiptare të periudhës osmane. Që nga viti 2006 Ferit Duka është pjesë e stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës. Kërkimet e Prof. Dukës kanë qenë të orientuara pikësëpari në çështje të tilla të rëndësishme si qyteti shqiptar dhe tiparet e zhvillimit të tij pas vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, ndryshimet në strukturën fetare të shoqërisë shqiptare gjatë shekujve osmanë, komunitetet joshqiptare (veçanërisht hebrenjtë) që kanë banuar në pjesë të veçanta të kësaj hapësire, etj. Frut i këtyre hulumtimeve shumëvjeçare në tematikën e sipërshënuar janë një varg studimesh si monografi apo vepra me bashkautorësi, artikuj studimorë, kumtesa, etj., të botuara brenda ose jashtë Shqipërisë.

Rezultatet e studimeve të tij ai i ka komunikuar në tubime të rëndësishme shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Paralelisht me punën studimore, Prof. Duka ka zhvilluar periodikisht ekspedita kërkimore në arkivat dhe bibliotekat e Turqisë dhe vendeve perëndimore, gjë që i ka dhënë mundësinë që të ketë në disponim një bazë burimore adekuate dhe të pazëvendësueshme për studimet e tij. Puna e tij kërkimore ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtë me mësimdhënien në Universitetin Europian të Tiranës (jep lëndët “Historia e Shtetit dhe së Drejtës në Shqipëri” dhe “Histori e Civilizimeve”), si dhe si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, dega Histori (jep lëndën “Histori e Shqipërisë gjatë Sundimit Osman”).

Pjesë e rëndësishme e angazhimeve intelektuale dhe akademike të Prof. Ferit Dukës ka qenë edhe pjesëmarrja në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, sikurse janë ato që lidhen me tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar në Shqipëri dhe në rajon, nismat ndërkombëtare për përmirësimin e teksteve shkollore të historisë, projektet për ruajtjen dhe shpalosjen e trashëgimisë kulturore në arealin shqiptar dhe ballkanik, etj.

Prof. Ferit Duka ka mbajtur dhe mban pozicione të ndryshme administrative-akademike si: Përgjegjës i Departamentit të Mesjetës dhe Periudhës Osmane në Institutin e Historisë, Rektor i Universitetit Europian të Tiranës dhe aktualisht, Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin e përmendur.