Bashkëpunëtorët
Bashkëpunëtorët
Prof.Dr. Ferit Duka
Prof. Dr. Ferit Duka është diplomuar në Universitetin e Tiranës për Histori dhe më pas ka kryer një specializim të gjatë për Osmanologji pranë universiteteve të Ankarasë dhe Stambollit.
Prof. Duka e ka nisur punën e tij më 1976 si arkivist në sektorin e dokumentacionit osman në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë. Pas tre vjetësh është transferuar në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (më pas pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike) ku ka punuar si kërkues shkencor në fushën e historisë shqiptare të periudhës osmane. Që nga viti 2006 Ferit Duka është pjesë e stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës. Kërkimet e Prof. Dukës kanë qenë të orientuara pikësëpari në çështje të tilla të rëndësishme si qyteti shqiptar dhe tiparet e zhvillimit të tij pas vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, ndryshimet në strukturën fetare të shoqërisë shqiptare gjatë shekujve osmanë, komunitetet joshqiptare (veçanërisht hebrenjtë) që kanë banuar në pjesë të veçanta të kësaj hapësire, etj. Frut i këtyre hulumtimeve shumëvjeçare në tematikën e sipërshënuar janë një varg studimesh si monografi apo vepra me bashkautorësi, artikuj studimorë, kumtesa, etj., të botuara brenda ose jashtë Shqipërisë.
Rezultatet e studimeve të tij ai i ka komunikuar në tubime të rëndësishme shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Paralelisht me punën studimore, Prof. Duka ka zhvilluar periodikisht ekspedita kërkimore në arkivat dhe bibliotekat e Turqisë dhe vendeve perëndimore, gjë që i ka dhënë mundësinë që të ketë në disponim një bazë burimore adekuate dhe të pazëvendësueshme për studimet e tij. Puna e tij kërkimore ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtë me mësimdhënien në Universitetin Europian të Tiranës (jep lëndët “Historia e Shtetit dhe së Drejtës në Shqipëri” dhe “Histori e Civilizimeve”), si dhe si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, dega Histori (jep lëndën “Histori e Shqipërisë gjatë Sundimit Osman”).
Pjesë e rëndësishme e angazhimeve intelektuale dhe akademike të Prof. Ferit Dukës ka qenë edhe pjesëmarrja në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, sikurse janë ato që lidhen me tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar në Shqipëri dhe në rajon, nismat ndërkombëtare për përmirësimin e teksteve shkollore të historisë, projektet për ruajtjen dhe shpalosjen e trashëgimisë kulturore në arealin shqiptar dhe ballkanik, etj.
Prof. Ferit Duka ka mbajtur dhe mban pozicione të ndryshme administrative-akademike si: Përgjegjës i Departamentit të Mesjetës dhe Periudhës Osmane në Institutin e Historisë, Rektor i Universitetit Europian të Tiranës dhe aktualisht, Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin e përmendur.
Ermal Nurja
Në vitet 2000 - 2005 kryen studimet e larta në Universitetin Shtetëror Stamboll, në Fakultetin e Teologjisë Islame dhe mbron temën e diplomimit “Historia e shtypshkrimeve dhe gazetave në vilajetet shqiptare”. Kryen studimet për Master në vitet 2006-2009 në Universitetin Shtetëror Marmara (Stamboll), Instituti i Shkencave Sociale në Departamenti e Historisë Islame dhe mbron diplomën e masterit me temë “Regjistrat e protokollit mes vilajetit të Janinës dhe Meshihatit të Stambollit në fundin e shekullit të XIX”. Në vitin 2011- vazhdim vazhdon studimet në Universitetin Shtetëror Mimar Sinan (Stamboll), në Institutin e Shkencave Sociale, Departamenti i Historisë, për titullin “Kandidat për doktor shkencash në histori” duke punuar për temë “Vlora, kazaja dhe qyteti (1417-1595)”.
Midis viteve 2009-2016 ka punuar si Arkivist specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë
Prof. As. Zhuljeta Daja
Zhuljeta Kadilli Daja, është pedagoge në Fakultetin e Shkencave Humane, universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Jep lëndët, Histori e Popullit Shqiptar, pjesa e II, si dhe Histori e Pëerandorisë Osmane. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori Filologji (1983).
Në vitin 2008 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në histori. Në vitin 2014 ka marrë titullin “Profesore e asociuar”. Fusha e saj e studimit është periudha e fundit të shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Në vitin 2014 ka botuar monografinë me titull: Elbasani në vitet 1892-1908, sipas regjistrave osmanë.
Dr. Andrea Rembeci
Ka lindur në Tiranë, më 1980. Studimet e larta i ka kryer në Departamentin e Gjuhës dhe Kulturës Greke, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës (2000-2004). Studimet e Thelluara Pasuniversitare i përfundoi më 2009 në Department of History of Ionian University, Korfuz-Greqi (Master Shkencor në Burime Historike Bizantine dhe Paleografi) dhe, ndërkohë, po kryen studimet në nivelin e doktoratës po në Ionian University, në fushën e Historisë Bizantine. Në vitin 2011-2012 ka kryer kërkime shkencore dhe studime me bursë të Alexander S. Onassis Public Benefit Foundation në Institute of Historical Research – National Hellenic Research Foundation, Athens, nën udhëheqjen e Drejtorit të Institutit të Studimeve Bizantine, Prof. Kriton Chrysochoides. Ka marrë, gjithashtu, pjesë në ekspedita kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit (Shqipëri, Greqi, Itali, Austri, Egjipt, Jerusalem), të organizuara nga Ionian University (Korfuz), Universitety of Ioannina, Historical and Palaeographical Archive of the Cultural Foundation of the National Bank of Greece (MIET), Instituti i Studimeve Bizantine dhe Pasbizantine në Venecia. Ka qenë bashkëorganizator i veprimtarisë kulturore-shkencore në lëmin e paleografisë, zhvilluar në Arkivin Qendror Shtetëror, me temë: “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri” (maj 2010).
Që nga muaji nëntor 2010, është Lektor i Historisë dhe Paleografisë Bizantine në Departamentin e Historisë të Universitetit të Tiranës. Interesi i tij shkencor fokusohet në fushën e paleografisë, e historisë bizantine, e burimeve historike bizantine dhe pasbizantine. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Është përgjegjës i Shkollës Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin, që organizohet që nga viti 2017 në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Është bashkautor i botimit faksimile të kodikut bizantin të Korçës “The Illuminated Gospel of Korça. Korça Codex 93 (10th century)” (Facsimile edition, three volumes, 1.272 pp, Militos Edition, Athens 2012, ISBN set: 978-960-464-353-0), i vlerësuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë si botimi më i mirë shkencor për vitin 2016, për kategorinë e kërkuesve të rinj, si edhe i një sërë artikujsh shkencore të botuar brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 2016 iu akordua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë çmimi shkencor kombëtar për kërkuesin e ri më të suksesshëm për vitin 2016. Që nga viti 2013, është anëtar i Këshillit Drejtues dhe Sekretar i Albanian Association of Byzantine Studies, degë e International Association of Byzantine Studies dhe, nga viti 2017, Bashkëkryetar i Akademisë së të Rinjve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Prof. As. Dr. Majlinda Peza - Perriu
Prof.as.dr. Majlinda PEZA – PERRIU, profesore në Universitetin e Elbasanit “A. Xhuvani”, lektore e disiplinës Histori e Ballkanit, Histori e Sotme e Botës, Kërkim shkencor në Histori. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ka mbrojtur doktoraturën me temë: “Lëvizja Politiko – arsimore në trevën e Elbasanit në vitet 1878 – 1914” në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Filologjikut, në departamentin e Historisë. Në vitin 2016 ka marrë titullin shkencor “Profesore e Asociuar”. Periudha e studimit përfshin historinë e Shqipërisë dhe të trevës së Elbasanit përmes shfrytëzimit të burimeve austro – hungareze, britanike, italiane, osmane të/dhe pabotuara për periudhën fundi i shek. XIX fillimi i Shek.XX dhe veçanërisht për periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe të Elbasanit.