Megjithë arritjet e shënuara në ndriçimin e periudhës osmane të historisë sonë kombëtare, thellimi dhe zgjerimi i kërkimeve në këtë drejtim mbetet ende një përparësi e padiskutueshme e historiografisë shqiptare. Është e domosdoshme që të studiohen çështje ende të patrajtuara, të interpretohen më drejt ose të rishqyrtohen nga këndvështrime të reja dukuri e procese që lidhen me periudhën në fjalë. Në këto suaza, një rëndësi të veçantë merr fuqizimi i bazës dokumentare të studimeve historike ku një rol domethënës ka pa dyshim shtimi dhe përsosja e informacionit për arkivat osmane.
Prej kohësh është në zhvillim e sipër një projekt i rëndësishëm që lidhet me përgatitjen dhe botimin në shqip të udhërrëfyesve për dokumentet osmane që gjënden në fondet e ndryshme të arkivave të Stambollit. Në epiqendër të projektit është osmanologu Ermal Nurja, i cili në sajë të një pune të palodhur hulumtuese në katalogët e Arkivit Osman në Stamboll, ka përzgjedhur njoftimet në lidhje me dokumentet që u përkasin viseve shqiptare, i ka sistemuar duke i klasifikuar sipas uniteteve administrative të krijuara nga shteti osman në hapësirën shqiptare dhe i ka përkthyer ato nga osmanishtja në shqip.
Produkt i kësaj pune janë udhërrëfyesit e Elbasanit (i botuar muaj më parë) dhe Korçës (i sapobotuar), si dhe ata të Vlorës, Shkodrës, etj., të cilët pritet të publikohen në të ardhmen. Sikundër shihet, është fjala për një projekt mjaft të dobishëm me anën e të cilit synohet të shpaloset në shqip një informacion mjaft i gjërë për një nga thesaret më të mëdha e më të vyera për historinë kombëtare të shqiptarëve, siç është Arkivi Osman i Stambollit.
Vëllimet në shqip të udhërrëfyesve të lartpërmendur do të shërbejnë si instrumente të rëndësishme për të lehtësuar punën kërkimore të studiuesve shqiptarë të historisë në arkivat osmane, duke sjellë më pranë tyre një informacion arkivor gjithëpërfshirës.
Kjo do të thotë që çdo studiues i kësaj fushe, sidomos ata që në fokus kanë kërkimet në lidhje me historinë e krahinave të veçanta shqiptare, si psh, Elbasanin, Korçën, Vlorën, etj., do të gjejnë të gatshme në këto vëllime të gjitha njoftimet për dokumentet që ndodhen në fondet e ndryshme të arkivit të lartpërmendur.
Target-grup i këtij projekti nuk janë vetëm studiuesit e historisë, por edhe pedagogët e studentët e historisë, arkivistikës dhe trashëgimisë kulturore në universitetet e hapësirës shqiptare, mësuesit e historisë të shkollave të mesme, si dhe kategori të tjera të shoqërisë shqiptare, të interesuara për njohjen e periudhës osmane të historisë së tyre kombëtare.
Projekti për hulumtimin, përkthimin dhe botimin në shqip të udhërëfyesve arkivorë për dokumentet osmane do të ishte i pamundur pa kontributin e dashamirësit të apasionuar të historisë dhe kulturës shqiptare zotit Rudin Dakli, i cili në rolin e sponsorizuesit dhe koordinuesit të projektit, ka organizuar tërë punën për finalizimin me sukses të këtij procesi dhe kurorëzimin e tij me botimin e dy vëllimeve të para (Elbasanit dhe Korçës), si dhe përgatitjen e vëllimeve vijuese. Rezultatet e deritashme të projektit janë të lidhura gjithashtu edhe me punën e bërë në faza të ndryshme nga një ekip studiuesish i përbërë nga Tomorr Plangarica, Zhuljeta Kadilli, Majlinda Peza e Andi Rrëmbeci.
Jemi të bindur se projekti në fjalë do të ketë ndikim domethënës në mjedisin shqiptar, para së gjithash në rritjen e interesimit për periudhën osmane të historisë shqiptare si dhe për ndërmarrjen e nismave për kërkime të mëtejme në këtë fushë të rëndësishme.