Mbi rëndësinë e botimit në shqip të katalogëve të arkivave osmane

Me rastin e daljes nga shtypi të vëllimit III (Vlora në dokumentet osmane të Arkivit të Stambollit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2023) të kolanës së përgatitur nga osmanologu Ermal Xh. Nurja.

Në teori dhe në parim gjithkush bie dakord me rëndësinë e shfrytëzimit të arkivave osmane për zbardhjen e historisë së Shqipërisë. Kur vjen fjala për mbështetjen e nismave që shkojnë në këtë drejtim, rrethi vjen e ngushtohet, sepse puna, mundi, përpjekjet njerëzore dhe financiare që një angazhim i tillë nënkupton mund të duken cfilitëse dhe në fund të hesapit, demotivuese e pa bereqet. Entuziastët duartrokasin, por vaken. Studiuesit seriozë, grup edhe më i tkurrur ky nga ai i entuziastëve, janë në fakt peshuesit e vërtetë, pse nevojtarët kryesorë të begatisë virtualisht të pashtershme që sjellin këto botime.

Për të kuptuar më mirë se ku dua të dal, po sjell diçka nga përvoja ime e menjëhershme. Në studimin “Frashëri, i shquar i panjohur”, falë dokumentacionit osman – një pjesë e mirë e të cilit më është mundësuar falë ndihmës së Ermalit – kam mundur të hedh dritë mbi një sërë të panjohurash dhe pikëpyetjesh që binin si perde e trashë dhe e padepërtueshme mbi historinë e Frashërllinjve dhe Shqipërisë juglindore në një hark kohor 4-5 herë shekullor.

Megjithatë, heuristika, gjahu dokumentar, të mëson sa shkencën historike, po aq edhe atë të durimit. Gjahu herë është i bollshëm e herë i vobektë. Ky ka qenë rasti për personazhet e Mustafa pashë Frashërit dhe të birit, Mehmet pashës, të cilët luajtën një rol jo të vogël në andrallat rumeliote në shek. XVIII. Në studimin tim u kam kushtuar një vëmendje të veçantë, pjesërisht i shtyrë edhe nga nevoja për të sqaruar përfshirjen e Frashërllinjve në pësimet e Voskopojës në vitet 1765-1769, periudhë gjatë së cilës spikat kryesisht Mehmet pashë Frashëri. Falë disa të dhënave indirekte, por që s’të jepnin ndonjë siguri, dhe duke iu mirëbesuar argumentimit historik kam parashtruar hipotezën se Mehmet pashë Frashëri mund të ketë qenë sanxhakbej i Janinës në vitet 1760. Për të çuar arsyetimin e subjektit që po trajtoja deri në fund, një dokument që ta konfirmonte apo ta hidhte poshtë këtë hipotezë do më kishte bërë shumë punë.

Deri sa studimi doli nga shtypi, një dokument i tillë nuk ishte e thënë të shfaqej. Siç do thoshin Frashërllinjtë e kohës, “nuk ishte kësmet”. Mirëpo, ja që nuk ishte e thënë të mos ishte kësmet përjetësisht. Falë vëllimit III të kolanës së përgatitur nga Ermali, gjahu dokumentar i solli gjahtarit, që kishte varur armën në musëndër e po shijonte një duhan, dokumentin e fantaksur. Në faqen 301 të vëllimit, katalogu jep përshkrimin e një dokumenti të 10 tetorit 1768. E mira e katalogjeve të arkivave osmane është që përshkrimi i një dokumenti është aq i bollshëm sa të mjafton për të vijuar në pistën e hamendësuar pa nevojë urgjente për ta përshkuar atë në tërësi. Nga ku edhe interesi akut për t’i pasur këto katalogje në shqip sa më të plotë e sa më parë. Ja edhe përshkrimi:

“Urdhër pashallarëve të ndryshëm që të grumbullojnë ushtarë për mbrojtjen e Bogdanit, në kufi me Lehistanin, mes tyre edhe Kahraman Pasha, mytesarifi i Vlorës, i emëruar që të grumbullojë 3 mijë ushtarë dhe Mehmet Pasha, i biri i Mustafa pashë Fraşelit, mytesarifi i Janinës, i cili urdhërohet të grumbullojë 1 mijë ushtarë”.

Përse një dokument i tillë, qoftë edhe nisur vetëm nga përshkrimi i tij, është i rëndësishëm? Në ç’hulli përfshin ai për sa i përket historisë së vogël lokale dhe asaj më të madhe rajonale e më tutje? Përtej interesit që paraqet për të ushqyer tropizmin tim frashërlli, pra fokusin egotik të hulumtimit personal, ja disa kontribute dhe pista që ai hap në lëmin e historisë së të gjithëve. Fundja, po e them kalimthi, egoja e hulumtuesit nuk është edhe aq e qortueshme. Historiani do të mund të thoshte Chateaubriand, është një egoist që kalon jetën duke ndihmuar të tjerët.

Në planin prosopografik dokumenti plotëson figurën dhe karrierën e Mehmet Pashë Frashërit dhe zinxhirin e valinjve shqiptarë, veçan toskë, të sanxhakut të rëndësishëm të Janinës;

Në planin biografik dhe gjenealogjik sjell plotësime në të kuptuarit më hollë të krushqisë së Ali pashë Tepelenës më Elhime Gjylsym hanëm Selimi-Delvinën, gjyshja e së cilës, Sabiha hanëm Frashëri, ishtë një hallë e Mehmet pashës. Martesa e Aliut ndodh në Gjirokastër më 1767, vit kur Mehmet pasha, kushëri i afërt i bashkëshortes së tij ishte gjasshëm sanxhakbej i Janinës, post që u kthye në synimin kryesor të Tepelenliut. Duhet shtuar këtu se nga martesa e Sabiha hanëm Frashërit me Mustafa bej Asllanpashalliun, stërnipër të të cilëve qenë djemtë e shquar të Ali pashë Tepelenës, Muhtari, Veliu dhe Salihu, rrjedh sot degëzimi kryesor i mbetur i oxhakut të Asllanpashallinjve, ai i bejlerëve të Libohovës;

Në planin e historisë lokale, dokumenti ndriçon aspekte me rëndësi, jo vetëm për sa i përket pozitës lokale të Frashërllinjve, oxhak sanxhakbejlerësh – pothuajse kurrë i trajtuar si i tillë në historiografi për mungesë dokumentesh. Ai ndihmon gjithashtu të kuptohet se në kundërshtim me pohimet e një historiografike klasike të përtej kufirit jugor, marrja e detyrës së zabitit për mbrojtjen e Voskopojës nga Mehmet pashë Frashëri më 1772, nuk është një rastësi apo një intrigë brigandësh vendalinj, por gjasshëm një zgjedhje e sulltanit për të imponuar respektin e rendit në krahinë jo përmes një mubashiri apo bylykbashi dosido, por përmes vetë sanxhakbeut të Janinës. Ky element ndihmon të ripërshkohet me më pak pasion trajektorja komplekse e rrënimit të Voskopojës.

Në planin e historisë administrative dhe ushtarake të shekujve osmanë në Shqipëri, dokumenti është gjithashtu interesant, sepse numri i trupave që duhet të furnizonin mytesarifët e Vlorës dhe Janinës më 1768 kontraston me numrin pothuajse fiks që një sanxhakbej në viset shqiptare ishte i detyruar të sillte ne fushata, rreth 300 veta, këmbësorë e kalorës. Më 1696, paraardhësi i Mehmet pashës, Adem pashë Frashëri, sanxhakbej i Ohrit, pati marrë pjesë me 300 këmbësorë dhe 80 kalorës në rrethimin e Olashinit në Temeshvar të Hungro-Vllahisë. Mobilizimi i 1000 trupave nga Frashërlliu në tetor të vitit 1768, të gjithë të paguar nga xhepi i tij dhe të degdisur me qindra kilometra larg Shqipërisë e bën edhe më të dyshimtë pretendimin sipas të cilit në maj-shtator 1769, ishin bylyqet dangëlliase dhe trupat e tij që dogjën Voskopojën. Shtoj se sundimi si sanxhakbej në Janinë i Frashërllinjve, shpjegon në një masë jo të vogël edhe burimin e pasurive që pasardhësit e tyre, si për shembull Ismail pashë Frashëri që kishte çifligje rreth e rrotull Janinës në shek. XIX, mundën të grumbullojnë e të kalojnë dorë më dorë në atë trevë.

Në planin e historisë rajonale dhe më gjerë, dokumenti është dëshmi interesante e pjesëmarrjes së trupave shqiptare në zonën më të nxehtë të përballjes së perandorisë osmane me mëtimet e Katerinës së madhe. Një përballje titanësh, konsumuar kryesisht në një zonë që edhe sot përcëllohet nga lufta, kufiri mes Bogdanit (Moldavisë) dhe Lehistanit (Polonisë) dhe që më 1768 lëshoi shkëndija që desh përvëluan edhe Rumelinë, nxitur nga Rusët në kryengritje, nga Mali i Zi në More e nga Himara në Besarabi. Pse pati mbrojtur të krishterët, kryesisht himariotë, nga raprezaljet osmane pas luftës ruso-turke, Ali Kapllan pashë Asllanpashalliu, djalë i Sabiha hanëm Frashërit dhe kushëri i Mehmet pashës, u ekzekutua me prerje koke në Manastir më 1787.

Në planin antropologjik, dokumenti e nxjerr Mehmet pashën me mbiemrin Fraşeli, ose Frashërlliu. Në të tjerë dokumente, ky llagap-mbiemër shpaloset më qartë në Fraşelizade, i cili përkthehet, “biri i Frashërlliut ose i Frashërllinjve”, dëshmi kjo e faktit se ai hynte në histori si pinjoll i një rrjeti familjar, klanik, i një “kapı halkı”, tërësisht i identifikuar brenda një emri të vetëm, dallues për bashkëkohësit dhe domethënës për të çtjerrë rrjetin e merimangës së ngjarjeve historike dhe njerëzore në shekuj. Një shtysë më shumë për të hulumtuar strukturat familjare dhe fisnore të grupimeve malësore toske përpara se fiset, sipas mendimit unanim të historianëve nga Aravantinoi te Zija Shkodra dhe Selim Shpuza e të gjuhëtarë si Çabej, të shpërbëhen në Toskëri nga koha e sundimit të Ali pashë Tepelenës e këtej.

So much for… Kaq mjafton për të treguar, nga një përvojë thjesht personale, rëndësinë kyç që kanë shqipërimi dhe botimi në vendin tonë i katalogjeve të dokumenteve osmanë të Arkivit të Stambollit. Një botë e tërë hapet para nesh; ajo e historishkrimit jo më si një nekromanci mbi fakte që heshtin ose delirojnë qysh në burim, sepse burime s’kanë, por si një hetim i vazhdueshëm i dosjeve të së kaluarës. Dhe dosje ka, sa të duash. Mjafton të shfletosh 3 vëllimet e kazave kryesore shqiptare në arkivat osmane, përgatitur nga Ermal Xh. Nurja dhe të ndihmosh pse jo, në daljen në dritë të vëllimeve të tjera në përpunim e sipër për t’u bërë pjesë e aventurës.

Autori

Thomas Frashëri
Shpërndaje