Në kongresin e mledhur me datën 2 shtator 1909 me delegatët e dërguar nga klubet
dhe shoqëritë që gjenden brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, që vazhdoi deri me
datën 8 shtator 1909 u morën vendimet që gjenden më poshtë:
Pika 1: Këtë vit në Elbasan në muajin shtator do të themelohet dhe çelet një shkollë
pedagogjike me gjashtë klasa. Mbështetja financiare e kësaj shkolle do të
sigurohet nga gjithë klubet, shoqëritë dhe personat atdhedashës brenda dhe
jashtë Shqipërisë, të cilët dëshirojnë përparimin e popullit shqiptar. Në qoftë
se klasat do të arrijnë numrin e caktuar dhe numri i nxënësve do të kap shifrën
e dëshiruar, për mbarëvajtjen e shkollës në fjalë do të caktohet kontributi një
lirë osmane në vit. Në qoftë se numri i nxënësve do të jetë i pakët dhe klasat
nuk do të mund të formohen, për
mbarëvajtjen e shkollës do të grumbullohen 700 lira osmane në vit. Kongresi përgatiti
edhe rregulloren e shkollës që do të shtypet dhe botohet.
Pika 2: Kongresi vendosi çeljen e një arke ndihme në emër të Shoqërisë për Përparimin e
Shkollave Shqipe që gjendet në Korçë. Administrator i nderit për këtë arkë do
të caktohet një deputet në parlamentin osman. Kjo arkë do të financohet nga
klubet dhe shoqëritë shqiptare, si dhe personalitetet e nderuara që dëshirojnë
përparimin e popullit të tyre. Fillimisht arka do të mbulojë shpenzimet e
domosdoshme për mbarëvajtjen e shkollës pedagogjike që do të çelet në Elbasan.
Më pas arka do të mbulojë shpenzimet e shkollave që do të çelen në Shqipëri,
por nuk kanë të ardhura që të sigurojnë mbarëvajtjen e tyre, si dhe do të
paguhen shpenzimet e botimit dhe shtypshkrimit të librave dhe teksteve mësimore
që do të përcaktohen nga një komision shkencor që do të formohet me këtë
qëllim.
Pika 3: Vendoset që të kërkohet mbështetja e qeverisë për shkollat që do të
administrohen nga shoqëria e Korçës.
Pika 4: Shoqëria e Shkollave në Korçë, pas plotësimit të nevojave të shkollës
pedagogjike në Elbasan, do të ndërmarr çeljen e shkollave në zonat e varfra të
Shqipërisë. Kongresi ka përgatitur dhe botuar një rregullore për veprimtarinë e
Shoqërisë së Shkollave me qendër në Korçë.
Pika 5: Do të punohet që të sigurohet mësimi në gjuhën shqipe në të gjitha shkolla
shtetërore dhe private që gjenden në Shqipëri.
Pika 6: Me qëllim arritjen e synimit të lartë të zhvillimit dhe përhapjes së arsimit
dhe shkencës në Shqipëri, do të bashkëpunohet me të gjitha klubet, shoqëritë
dhe individët shqiptarë atdhedashës, të cilët do të kontribojnë financiarisht
në arkën e Shoqërisë së Shkollave Shqiptare në Korçë.
Pika 7: Do të ekzistojë vetëm një zyrë qëndrore për të gjithë klubet dhe shoqëritë.
Pika 8: Klubi qendror ngarkohet me detyrën që të kërkojë nga qeveria që gjuha shqipe të
bëhet gjuha e mësimdhënies në të gjithë shkollat fillore dhe tetëvjeçare që
gjenden në Shqipëri.
Pika 9: Për periudhën dy vjeçare në vijim Kongresi ka zgjedhur klubin Bashkim në
Manastir si klubin qendror dhe ka përgatitur një rregullore që do të botohet në
lidhje me rregullat e sigurimit të bashkëveprimit mes klubit qendror dhe
klubeve të tjerave që do të varen prej tij.
Pika 10: Do të kërkohet nga qeveria osmane përmes
qendrave administrative të vilajeteve ku jetojnë shqiptarët, themelimi dhe
çelja e shkollave agrare në çdo vend që ka të nevojshme shkolla të tilla.
Pika 11: Dialekti i Elbasanit kuptohet lehtësisht në
çdo anë të Shqipërisë, prandaj meqë duhet përcaktuar një dialekt bazë Kongresi
i lutet të gjithë autorëve shqiptarë që do të botojnë libra dhe tekste në
gjuhën shqipe që të përdorin dialektin e Elbasanit.
Pika 12: Për zgjedhjen dhe caktimin e komisionit
drejtues të Shoqërisë së Shkollave, vendoset që një komision i formuar nga Mithat
beu, Dervish beu, Neki beu, Ahmet efendi Dakli, Kristo Dako, Sylejman Bloshmi,
Qirjazi, Irfan beu dhe Haxhi beu të shkojnë në Korçë.
Pika 13: Në qoftë se edhe një prej klubeve, shoqërive
apo shkollave që do të kërkojnë lirinë e mësimdhënies në gjuhën shqipe, si mjet
për përhapjen dhe zhvillimin e shkencës dhe diturive në Shqipëri, do të
përballet me ndonjë procedim penal ndaj saj, të gjithë klubet dhe shoqëritë që
janë bashkuar rreth këtij uniteti do të veprojnë si një trup i vetëm dhe do të
ndjekin të gjithë rrugët ligjore që të hiqet procedimi penal.
Pika 14: U vendos që me datë 2 shtator 1912 të
mblidhet kongresi arsimor i radhës në Elbasan ku do
të diskutohen dhe trajtohen nevojat e përgjithshme të zhvillimit të diturisë
tek shqiptarët.
Pika 15: Kongresi i delegon klubit të Elbasanit
detyrën e organizimit, informimit dhe njoftimit në kohën e përshtatshme për
kongresin që do të organizohet në Elbasan pas tre viteve.
Në fund
Lëndët mësimore që do të mësohen në shkollën pedagogjike që do të themelohet në
Elbasan:
matematikë, filozofi, fizikë, zoologji, rregullat e gjuhës shqipe, gramatikë, sintaksë dhe
letërsi, gjeometri, psikologji, dituri natyre, miniera dhe gjeologji, turqisht,
frëngjisht (me detyrim), algjebër, logjikë, anatomi, gjeografi, anglisht,
greqisht (me zgjedhje), trigonometri, pedagogji, edukata e trupit, histori
osmane, vizatim, astronomi, kimi, botanika, historia e Shqipërisë, gjimnastikë.
Përkthyer nga shqipja në turqisht, njësohet me origjinalin, data 8 shtator 1909
Kryetari
i kongresit arsimor shqiptar në Elbasan
Dervish Elbasani [Biçakçi]
_________________________________________
Përgatitur dhe shqipëruar nga ERMAL NURJA

Autori
