Sanxhaku i Dukagjinit dhe dy regjistrimet e viteve 1571 dhe 1591

Pjesa e parë : Lezha, Debri, Spasi, Puka, Iballa, Fanti i Madh dhe i Vogël, Mirdita, Zadrima dhe Rragami

Sanxhaku  i  Dukagjinit  ishte  një  ndër  sanxhaqet  që  formonin  vilajetin  e   Rumelisë  gjatë  periudhës  së  sundimit  klasik  osman.  Rumelija  ishte  një  nga   dy nënndarjet e mëdha administrative të Perandorisë Osmane, që bashkë me  Vilajetin  e  Anadollit  lindën  dhe  u  zhdukën  së  bashku  me  Perandorinë  (në   periudha  të  caktuara  të  historisë  osmane  ka  pasur  edhe  nëndarje  të  tjera  të   mëdha siç qe ajo e Hixhazit dhe e Afrikës Veriore që qenë më jetëshkurtra).  

Në  lidhje  me  themelimin  e  sanxhakut  të  Dukagjinit  janë  përcaktuar  nga   historianët  dhe  studiuesit  data  të  ndryshme,  në  varësi  të  dokumentacioneve   historike që ata kanë pasur në dispozicion. Gjithashtu nuk mund të anashkalohet  mundësia që sanxhaku të ketë ekzistuar në periudha të ndryshme, mes të cilave  edhe nëse  de jure  ka ekzistuar,  de facto pushteti osman nuk ka ekzistuar.  Duke  pasur  parasysh  këtë  fakt  mund  të  themi  se  data  e  dokumentuar  e   themelimit  të  parë  të  Sanxhakut  të  Dukagjinit  është  viti  14361.

Kjo  datë   e  dokumentuar  na  lejon  të  krijojmë  hipotezën  se  Sanxhaku  i  Dukagjinit   së bashku me pjesën tjetër të Sanxhakut Arvanid duhet të jetë krijuar gjatë  sundimit  të  sulltan  Mehmetit  I,  pas  viteve  1415.  Me  shumë  gjasa  treva  e   Dukagjinit, më saktë një pjesë e saj u përfshi në mosbindjen e përgjithshme  që filloi me kryengritjen e Skënderbeut pas vitit 1444. Mjafton të kujtojmë  se regjistruesit e regjistrit të Sanxhakut të Dukagjinit kazanë e Spasit, Pukës  dhe  Iballës  i  kanë  regjistruar  edhe  me  emrat  Pulti  i  Lekës,  ndërsa  në  një   rast  e  kanë  regjistruar  në  formën  Pulti  i  Lekë  Zaharisë. 

Situata  duhet  të ketë vazhduar e tillë deri në vitin 1468, kur pas fushatës osmane të drejtuar  nga  Mehmeti  II  u  krye  edhe  regjistrimi  i  trevave  që  kishin  marrë  pjesë  në   kryengritjen e Skënderbeut dhe u ndërtua kalaja e Elbasanit 2.

Sanxhaku i Dukagjinit dokumentohet për herë të dytë në regjistrin e taksës  së xhizjes së Rumelisë në vitin 1491, ndonëse kadiu i Dukagjinit njoftonte  se nuk ishte e lehtë për t’u grumbulluar mbledhja e xhizjes në këtë sanxhak.  

Në lidhje me regjistrimin e detajuar të sanxhakut të Dukagjinit deri më sot  janë konstatuar vetëm dy regjistra të llojit tahrir.  

Regjistri  i  parë  gjendet  në  Arkivin  Osman  të  Stambollit,  në  fondin  e   Regjistrave Tahrir, me numër 499. Regjistri mban datën 1571 (978 Hixhri).  

Regjistri i dytë deri në vitin 2018 gjendej në qytetin e Ankarasë, në Arkivin  e  Tapive  që  varet  nga  Ministria  e  Punëve  Publike.  Prej  vitit  2018  fondi  i   regjistrave me vlerë historike u transferua në Arkivin Osman të Stambollit.  Ai  mban  indikacionin  arkivor,  TKGM,  No.  62  dhe  ka  datën  1591  (evail   xhymadelevel 999 H).  

Sanxhaku i Dukagjinit formohej nga kazatë e Debrit, Spasit, Pukës, Iballës,  Fandi i Madh, Fandi i Vogël, Mirdita, Rudina, Domoshtica, Pashtrik, Luma,  Gora, Opoja, Dibra, Zadrima dhe Rragami.  

Në këtë artikull do të trajtohen vetëm një pjesë e kazave, ndërsa në numrin  e ardhshëm të revistës  Albanon  do të trajtohen kazatë e tjera.  

Kazatë  Grbavçe,  Zhupa,  Malonshik,  Ploshevica,  Cetina,  Rjeka,  Cernica,   Grblan  i  Sipërm  dhe  Grblan  i  Poshtëm  që  janë  regjistruar  në  regjistrin  e   vitit  1571  të  sanxhakut  të  Dukagjinit,  megjithëse  nuk  bënin  pjesë  në  këtë   sanxhak dhe sot gjenden brenda kufijve të Republikës së Malit të Zi, nuk do  të trajtohen as në këtë artikull, as në artikullin pasardhës.  Në dallim nga kazatë e tjera të sanxhakut të Dukagjinit, që do të trajtohen  në  numrin  e  ardhshëm  të  revistës   Albanon ,  procesi  i  islamizimit  ende  është   i ngadaltë edhe në fundin e shekullit të XVI. Myslimanët janë regjistruar në  formë vatrash, beqarë dhe të sapomartuar (benak). Tërheq vëmendjen fakti  që në disa raste, vatrat myslimane të regjistruara në vitin 1571 nuk shfaqen  në vitin 1591. Gjatë kësaj periudhe familjet në fjalë duhet të kenë emigruar  në fshatra ose qytete të tjera.

Artikullin e plotë dhe tabelat mund ti shfletoni në revistën ALBANON :https://albanica.al/albanon/article/view/137/111

  1. Osmanlı Arşiv Belgelerinde Arnavutluk / Shqipëria në dokumentet arkivale otomane, Botim i Arkivit Osman, İstanbul 2008, fq. 270[]
  2. Regjistri osman gjendet në arkivin osman nën referencën arkivore BOA, MAD.d, No. 805. Pjesa për Shqipërinë është përkthyer në shqip dhe gjendet në botimin Selami Pulaha, Lufta shqiptaro-turke në shekullin e XV: Burime osmane, Tiranë 1968, f. 326-374[]

Autori

Shpërndaje