Elbasani në dokumentet osmane të Arkivit të Stambollit – Udhërrëfyes

Botimi “Udhërrëfyes i dokumenteve dhe regjistrave osmanë për Elbasanin” ka si qëllim të japë të dhëna në lidhje me dokumentet e nxjerra nga arkivat e Stambollit për sanxhakun e Elbasanit. Thellimi i studimeve historike për Elbasanin e më gjerë dikton nevojën dhe domosdoshmërinë e gjetjes dhe nxjerrjes nga arkivat të burimeve dokumentare të cilat përbëjnë bazën e një studimi më të hollësishëm e real të historisë.

Përmbledhja e treguesve të dokumenteve që po paraqesim nuk është një botim me dokumente, por një katalog me informacion për fondet dokumentare osmane që ndodhen në Arkivin e Stambollit dhe që i përkasin trevës së Elbasanit. Ndonëse katalogu në fjalë është vetëm një tregues dokumentesh, ai na njeh në mënyrën e vet me problemet politike, ekonomike dhe shoqërore të zonës në periudhën e dhënë. Përveç kësaj, studiuesit do të kenë në dorë një udhërrëfyes të rëndësishëm për dokumentet osmane, i cili do t’u shërbejë si pikënisje për studimet e ndërmarra prej tyre për trevën e Elbasanit e më gjerë.

Arkivi osman është një nga arkivat më të pasur me dokumente në gjuhën osmane, një pjesë e të cilave lidhen me historinë e shqiptarëve. Periudha e sundimit osman përfaqëson një periudhë të gjatë pesëshekullore për shqiptarët në Ballkan.

Regjistri më i vjetër osman është ai i viteve 1431-1432 që mbulon Shqipërinë e Jugut, të Mesme dhe një pjesë të asaj të Veriut. Një tjetër regjistër i atyre viteve është ai i Përmetit dhe i Korçës, që mbulon Shqipërinë Juglindore.

Arkivi Osman i Stambollit ruannjëqind milionë dokumente dhe mbi 300 mijë regjistra, të hartuar nga administrata qendrore dhe lokale e shtetit osman. Një pjesë e mirë e këtij dokumentacioni ka të bëjë drejtpërdrejt me shqiptarët dhe trevat shqiptare në Ballkan.

Zbardhja e këtij dokumentacioni është një imperativ i domosdoshëm i kohës që jetojmë. Njohja sa më e dokumentuar dhe e qartë e zhvillimit të etnisë shqiptare, shpejt a vonë do të kthehet në një domosdoshmëri identifikimi në formë prezantimi e shqiptarëve të Ballkanit, veçanërisht si pjesë e Bashkimit Europian ku aspirojmë të përfshihemi.

Pjesa më e madhe e dokumentacionit osman, gjysma e tij, ende nuk është përpunuar, që do të thotë se nuk njihen të dhënat përshkruese të materialit që përmban. Ky lloj dokumentacioni është në fazë përpunimi arkivistik dhe nuk u shërbehet ende studiuesve. Ndërsa gjysma tjetër tashmë është përpunuar dhe u ofrohet për studim studiuesve.

Materiali që ruhet në arkiv është i gjithi në gjuhën osmane, me përjashtim të shkresave në gjuhët e huaja që mund të gjenden si pjesë e letërkëmbimit zyrtar dhe nuk ka asnjë version të transliteruar, aq më pak të përkthyer të tijin.

Treguesit arkivorë janë në gjuhën turke, por me një prani të konsiderueshme të terminologjisë historike në osmanishte, gjë që e bën të vështirë zbërthimin e treguesit vetëm për turqishtnjohësit, në qoftë se ata nuk kanë edhe njohuri për terminologjinë historike osmane.

Tashmë treguesi ofrohet për studiuesit jo vetëm në formë shtypshkrimi, por edhe me kërkim databaze që përdoret në sallën e studimit të këtij arkivi.

Botimi që kemi përgatitur mbështetet në kërkimet e kryera në këtë databazë të arkivit, jo në treguesit shtypshkrime. Jemi të ndërgjegjshëm që gjatë punës kërkuese, për arsye të ndryshme objektive, mund të ketë firime të materialit që gjendet në tregues dhe nuk është arritur të përfshihet në këtë botim, por ato nuk e kalojnë 5 % të materialit të përgatitur.

Nuk ka dyshim se synimet për një histori të dokumentuar, ashtu siç ndodh në gjithë vendet ku shkenca e historisë është e zhvilluar, do të përmbushen vetëm kur materiali arkivor do të arrihet të transliterohet dhe të shqipërohet tërësisht. Kjo është një sipërmarrje shumë e madhe.

Një punë e madhe është bërë për identifikimin e onomastikës që gjendet në përshkrimet e dokumenteve. Puna jonë për saktësimin e kësaj onomastike e bën këtë ndërmarrje të vlefshme edhe për vetë treguesin e arkivit osman në Stamboll, pasi tashmë mund të korrigjohen edhe shumë transliterime të pasakta të antroponimeve dhe toponimeve në databazën e arkivit.

Treguesi është hartuar mbi kriterin e ndarjes administrative. Osmanët në përgjithësi janë treguar të ndjeshëm që të ruajnë ndarjet administrative të mëparshme që kanë gjetur në Ballkan, nisur nga fakti se këto organizime i kishin qëndruar kohës kur ishin aplikuar nga sunduesit e mëparshëm të Ballkanit.

Brenda kësaj ndarjeje administrative ekzistonin arsye gjeografike, politike e demografike. Vlen të kujtojmë këtu se edhe në vendet perëndimore, shkencat historike janë zhvilluar mbi bazën e studimeve lokale.

Treguesi i Elbasanit është njëkohësisht edhe një mjet që do të lehtësojë krahasimin e përmbajtjes së fondeve të Arkivit të Stambollit me materialet e fondit dokumentar në gjuhën osmane (vitet 1878-1912) që ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar në Tiranë, pjesën dërrmuese të së cilës e përbëjnë pikërisht materialet e sanxhakut të Elbasanit.

Ermal Nurja, Stamboll 2018

Autori

Shpërndaje