Në një shkresë të Ministrisë së Brendshme drejtuar vilajetit të Manastirit, Naim Frashëri atëherë Kryetar i Komisionit të Censurës nuk pranon të jetë autor i librave shqip. Më poshtë dokumenti.
Bazuar në shkresën e datës 15 teshrini sani 1304 (27 tetor 1888), me numër 118 në lidhje me tekstet mësimore dërguar në Korçë në gjuhën shqipe me gërma latine, të shtypura në Bukuresht nga komiteti Drita me autor Naim Halid Frashëri, ju njoftojmë se çështja është trajtuar në mënyrë konfidenciale me Ministrinë e Arsimit, të cilës i janë dërguar nga një kopje për çdo tekst, pjesë të përkthyera nga këto tekste dhe disa opinione në lidhje me temën.
Nga ministria në fjalë ka ardhur përgjigja se përpara tre vjetësh është aplikuar për marrjen e lejes së mësimdhënies vetëm në shkollat fillore të krishtera për disa tekste mësimore të botuara nga një komitet që vepron në Bukuresht, se pas hetimit të kryer nga komisioni përkatës nuk është konstatuar asnjë pasojë negative në dhënien e kësaj leje, aq më shumë që ambasada osmane në Bukuresht më përpara ka lëshuar dëshminë e aprovimit për veprimtarinë e komitetit në fjalë, prandaj bazuar në këto dy fakte është dhënë leja për mësimdhënien me ato tekste, megjithëse data e botimit të këtyre teksteve është e panjohur, nuk ka asnjë dyshim që tekstet në fjalë janë produkt i veprimtarisë së komitetit në fjalë,
Personi me emrin Naim Halid, i cili është edhe autori i teksteve në fjalë për shkak të ngjashmërisë mund të mendohet se është Naim beu, kryetari aktual i komisionit të censurës, i cili i pyetur në lidhje me këtë çështje ka pohuar se emri i tij është vetëm Naim dhe në mënyrë kategorike nuk është autor i asnjë botimi në gjuhën shqipe, prandaj për personat që mund të na vijnë ndër mend në mënyrë që të nxirret në shesh autori teksteve është e nevojshme që të zbardhet më mirë çështja.
Në këto kushte të kërkohet informacion sqarues nga vilajeti që të mbledh informacione dhe të njoftojë pasi të ketë kryer hetimin e duhur se librat në fjalë janë hartuar me të vërtetë nga personi i sipërpërmendur dhe në cilën datë janë hartuar ato.

Autori
