Hyrje e librit me autor Ermal Nurja
Gjatë periudhës klasike që fillon me themelimin e shtetit osman deri në reformën
e Tanzimatit, arsimimi realizohej në shkolla parapërgatitore (mektephane, muallimhane) dhe medrese. Medresetë gjendeshin të përhapura në të gjithë perandorinë osmane. Të diplomuarit prej tyre në pjesën më të madhe formonin kuadrin juridik të perandorisë (kadinjtë), të cilët gjatë gjithë historisë së periudhës klasike formonte një klasë elitare. Mjafton të përmendim faktin që kadiu përfaqësonte institucionin gjyqësor që komunikonte drejtpërdrejtë me qendrën e perandorisë osmane në Stamboll.
Pas reformës së Tanzimatit (1839), reformimi i perandorisë osmane mes të tjerash
kushtëzonte krijimin dhe organizimin e sistemit arsimor osman sipas shkollave evropiane,
ku si model u mor ai francez.
Ministria Osmane e Arsimit (Maarif-i Umumiye Nezareti) u themelua në vitin 1857.
Reforma e parë thelbësore u realizua në vitin 1869 kur u shpall edhe Ligji i Arsimit
(Maarif-i Umûmiye Nizamnâmesi).
Sistemi arsimor publik parauniversitar osman organizohej në shkollat fillore (iptida), të
mesme (ruzhdije), lice (idadije).
Shkolla fillore (iptida) çelej në një-dy lagje të qytetit apo në një-dy fshatra. Arsimi aty
zgjaste 4 vjet.
Shkolla e mesme (ruzhdije) çelej në qytetet me popullsi 500 banesa e më shumë. Shkolla
zgjaste 4 vjet.
Liceu (idadije) çelej në qytete me popullsi 1000 banesa e më shumë. Arsimi zgjaste 3 vjet.
Arkivi Osman i Stambollit ruan pjesën më të madhe të dokumenteve origjinale të
perandorisë osmane apo kopjet digjitale të dokumenteve osmane në arkivat e tjerë brenda
Turqisë dhe jashtë saj.
Një fond i rëndësishëm në këtë arkiv është fondi i Ministrisë Osmane të Arsimit (1857-
1922), i cili përbëhet nga 22 nënfonde. Ky fond është në përpunim e sipër, ndërkohë që
një pjesë e fondit tashmë i ofrohet për studim në sallat e studimit të arkivit të interesuarve.
Deri në përpunimin e këtij fondi arkivor, burimi më i pasur për çështjet e arsimit në
Shqipëri, bazuar në dokumentet osmane ishte pa dyshim ditari i punës së Daut Boriçit,
në cilësinë e inspektorit të arsimit në vilajetin e Shkodrës në periudhën 1870-1877. 1
Dokumentacioni arkivor hedh dritë mbi gjithë organizimin arsimor në detaje. 2
Në mesin e dokumentacionit arkivor na ka tërhequr vëmendjen një lloj dokumentesh
që janë tabelat e mungesave dhe provimeve të shkollave të nivelit fillor (iptidaije) dhe të
mesme të ulët (ruzhdije) në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. 3
Tabelat u takojnë shkollave të çelura me buxhetin arsimor të vilajeteve ku gjendeshin
(Shkodër, Manastir dhe Janinë) si pjesë e rrjetit arsimor publik të Ministrisë Osmane të
Arsimit.
Në këto lista nuk ekzistojnë të dhëna për shkollat fillore, të mesme të komuniteteve
të krishtera (ortodokse, katolike) që funksiononin nën varësinë e qendrave fetare nga
vareshin (mitropolitë, patrikana apo ipeshkvit), të dhëna për shkollat e edukimit fetar
mysliman (medrese) që vareshin nga Komuniteti Mysliman (Meshihati), shkollave të
mesme ushtarake që vareshin nga Ministria e Ushtrisë (Harbiye Nezareti) apo shkollave
të nivelit para universitar të themeluara me fonde nga shtetet e huaja.
Vjetarët osmanë të Ministrisë Osmane të Arsimit tregojnë se numri i shkollave publike
apo private në Shqipëri ka qenë më i madh sesa listat e identifikuara deri tani nga ana
jonë. 4
Studentët që mësonin në këto shkolla ishin shqiptarë në të shumtën e tyre dhe shumë pak prej tyre bijtë e nëpunësve osmanë (turq ose armenë) të cilët mësonin në këto shkolla për shkak se jetonin pranë prindërve të tyre të transferuar me detyrë në vilajetet e Shqipërisë.
Zbardhja dhe përpunimi i këtyre të dhënave mbetet një synim për të ardhmen kur studiuesit të kenë mundësi të aksesojnë të gjithë dokumentacionin në lidhje me këtë pjesë të historisë arsimore publike në Shqipëri.
Të diplomuarit në këtë periudhë do të jenë në pjesën më të madhe të përfshirë në organizimin e ri arsimor në Shqipëri apo në nëpunësinë e shtetit shqiptar, prandaj studimi i arsimit dhe dosjeve të nëpunësisë gjatë periudhës osmane do të hedhin dritë në të kaluarën e formimit të administratës së shtetit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë. 5
Tabelat mund ti gjeni në librin e sapobotuar : https://dshsh.org/books/tabelat-arsimore-te-shkollave-publike-fillore-dhe-te-mesme-ne-shqiperi-1890-1900/
Referenca:
- Daut Boriçi ka pasur dy ditarë pune njëra me kopjet e shkresave zyrtare dhe tjetra me llogaritë e shpenzimeve gjatë detyrës në fjalë. Këto dy regjistra janë ruajtur deri më sot falë interesimit të personalitetit shkodran arsimtarit Shefqet Muka (1887-1967). Regjistri me kopjet e shkresave zyrtare është transliteruar dhe të dhënat janë trajtuar në një temë magjistrature në universitetin publik Marmara (Stamboll), Instituti i Shkencave Shoqërore, Departamenti i Teologjisë (Studime Islame), me autor Ali Bardhin, nën titullin “Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim (1870–1877)” (Arsimi në vilajetin e Shkodrës (1870-1877) në dritën e ditarit të punës së inspektorit Davut Boriçi), Stamboll 2009.[↩]
- Të dhëna të dosjeve dhe regjistrave të fondit arsimor osman për Elbasanin dhe Korçën shih Ermal
Xhemal Nurja, Elbasani në dokumentet osmane të Arkivit Osman të Stambollit (Udhërrëfyes)
Onufri, Tiranë 2019, fq. 271-290; Korça në dokumentet osmane të Arkivit Osman të Stambollit(Udhërrëfyes) Onufri, Tiranë 2020, fq. 187-206.[↩] - Për një studim të historisë së arsimit në kazanë e Gjilanit në Kosovë bazuar në këto lloj tabelash arsimore shih Agron Islami, Safedin Rahimi, “Ibtidaiye Mektebs in the Kaza of Gjilan According to the Ottoman Sources During 1900-1906”, Journal of Balkan Studies (JBS), Year: 2022, Volume: 2, Number: 2, pp. 47-71.[↩]
- Të dhëna përmbledhëse statistikore me llojin e shkollave, numrin e nxënësve, shpërndarjen e tyre administrative gjenden në vjetarët zyrtarë të Ministrisë Osmane të Arsimit nën titujt e vilajeteve
Janinë, Manastir dhe Shkodër nga vareshin administrativisht. (Salname-i Maarif Nezareti, Viti 1316/1898, fq. 824-830, 1182-1199, 1212-1227; Viti 1321/1903, fq. 317-322, 661-676, 698-706).[↩] - Për të dhënat e 69 të diplomuarve shqiptarë në Fakultetin e Shkencave të Administratës Civile (Mektebi Mylkije / Mekteb-i Mülkiye) në Stamboll gjatë sundimit osman shih Natalie Clayer, “Albanian Students of the Mekteb-i Mülkiye: Social Netwoks and Trends of Thoughts” in Özdalga, Elizabeth; Late Ottoman Society, the Intellectual Legacy; New York, Routledge Curzon, 2005, s. 289-310.[↩]
Autori






