Pjesë nga shkrimi i osmanologut Ermal Nurja.
Në periudhën klasike osmane (shek. XV deri në shpalljen e Tanzimatit në fillimet e shek. XIX), sigurimi i rendit dhe sigurisë në një kaza, ishte detyrë e sanxhakbeut të sanxhakut nga vareshin kazatë në fjalë. Kjo ishte detyrë e tij, pasi në llogarinë e tij shkonte edhe taksa e krimeve dhe vrasjeve [resm-i cürm-ü-cinayet (resm-i xhyrm ve xhinajet)] që mblidhej nga banorët e sanxhakut.
Shtimi i akteve penale në një sanxhak mund të shkaktonte largimin e tij nga detyra prej sulltanit; në raste kur anarkia kthehej në një shqetësim të madh me pasoja, pra në raste ekstreme, edhe ekzekutimin e tij.
Në raste vrasjesh, në gjyq paraqitej vojvoda i sanxhakbeut, i cili kërkonte nga gjyqi zbardhjen e akteve të vrasjeve apo plagosjeve të rënda dhe marrjen e një vendimi nga gjykatësi me këtë rast.
Pas shpalljesh së Tanzimatit, e gjithë administrata ushtarake, civile, fetare, financiare dhe ajo administrative kaluan një reformë të thellë sipas modelit francez. Si pjesë e kësaj reforme u parashikua edhe pajtimi i gjaqeve nëpër gjithë hapësirat e Perandorisë Osmane. Kjo politikë në Shqipëri do të vazhdonte deri në fund të sundimit osman, në vitin 1912.
Gjatë hulumtimeve në Arkivin Osman të Stambollit konstatova një shënim arkivor në një nga katalogët e arkivit që mbante titullin “Çështjet në Gegëri” . Regjistri në fjalë gjendej i katalogizuar nën referencën arkivore BEO, Ayn.d, No. 1716 (Fondi Porta e Lartë, pra Qeveria Osmane). Në të vërtetë fleta e prerë në formë të rrumbullakët dhe e ngjitur nga arkivistët osmanë (që në shekullin XIX, kur u krye edhe katalogimi i parë i dokumentacionit) shkruan Gegëri (Gegalık-Gegallëk), madje me këtë titull është hartuar edhe regjistri, por nga leximi i tekstit rezulton se ai ka të bëjë me Toskërinë, jo me Gegërinë. Data ekstreme, kur janë hartuar procesverbalet e pajtimeve janë vitet 1845- 1846.
Regjistri i pajtimeve për Toskërinë përmban 193 faqe (99 fletë). Leximi i akteve vërteton se ato në të shumtën e rasteve janë regjistruar nga dy herë, diku fjalë-fjalë, diku duke lëvizur me radhën e tyre, diku duke u përzier edhe me akte që regjistrohen për herë të parë. Të shumtën e rasteve, aktet janë regjistruar nën emrin e kazasë (Vlora, Tepelena etj.) që është shkruar me bojë të kuqe. Kazatë e përfshira në regjistër janë si më poshtë:
Vlora fl. 1-21 (79 akte), fl. 93-102 (40 akte, gjysma e të cilave janë përsëritje); Berati me nahije: kazaja e Beratit fl. 21-40 (177 akte), fl. 57-74 (përsëritje), fl. 105-106 (6 akte), nahija Myzeqe fl. 41-42 (18 akte), fl. 74-76 (përsëritje), Skrapari fl. 43-50 (72 akte), fl. 76-84 (përsëritje), Tomorrica fl. 50-54 (27 akte) fl. 84-88 (përsëritje); Tepelena fl. 108-154 (230 akte), Tepelena-Vlora fl. 54/1-57 (19 akte), Kolonja fl. 102 (1 akt), Korça fl. 103 (2 akte), Janina fl. 103 (2 akte), nahija Pogon e Vlorës fl. 104 (5 akte), Përmeti fl. 106-108 (9 akte); Konica fl. 88-92 (20 akte); Delvina fl. 155-184 (279), fl. 184-192 (176 akte vrasjesh përsëritje dhe rregulluar në një format të ri), fl. 193 (akte zyrtare). Shkresat zyrtare janë Vlora (fl. 1/1,2; 14/4; 21/2; 56/4,5; 57/1), Berat (fl. 54/1,2) dhe fl. 193.
Në një dokument nga një dëshmi e lëshuar nga banorët, mësohet se kush ishte personi, i cili është marrë me detyrën e gjyqeve të pajtimit, i emëruar me ferman të sulltanit. Ai quhej Haxhi Hyseni dhe për momentin kjo është e dhëna e vetme që ka të bëjë me identifikimin e tij.
Një tjetër veçori që bie në sy është fakti që regjistruesi i ka regjistruar nga dy herë në vende të ndryshme të regjistrit aktet e pajtimeve. Kështu ka ndodhur me aktet e Beratit (të gjitha aktet janë regjistruar nga dy herë), Delvinës, Myzeqesë, Skraparit, Tepelenës, Tomorricës dhe Vlorës (vetëm 20 akte janë regjistruar nga dy herë). Ndonëse në dokumentet zyrtare përmenden tri kaza si zona ku janë mbajtur gjyqet e pajtimit, më saktë: Vlora, Tepelena dhe Konica, në regjistër janë shënuar në kapituj më vete edhe Berati me nahijet e tij: Mallakstra, Skrapari dhe Tomorrica, Delvina. Nënkapitujt si Kolonja, Korça, Janina janë me pak akte dhe nën varësinë e kapitullit të Tepelenës, pra nuk kanë të bëjnë me kazanë në vetvete, por me banorë të këtyre kazave që kanë pasur konflikte të ndryshme me banorë të kazasë së Tepelenës.
Pjesa dërrmuese e konflikteve ka ndodhur mes banorëve të një kazaje, por nuk mungojnë edhe rastet mes banorëve të kazave të ndryshme, veçanërisht atyre të Tepelenës dhe Delvinës me banorë të kazave të tjera. Koha e konflikteve shkon pas në kohë nga disa muaj deri në disa vite, maksimumi deri në 13 vite pas, megjithëse nuk mungojnë procesverbale që mëtojnë për kohë më të hershme siç ndodh në dy raste kur përmendet koha e rrethimit të Ali Pashë Tepelenës.
Përveç gjyqeve pajtuese për vrasjet, plagosjet dhe grabitjet që zënë pjesën dërrmuese të gjyqeve në regjistër janë regjistruar edhe mosmarrëveshje të tjera si ryshfet, zjarrvënie e qëllimshme, borxhe, xhizje, por përbëjnë një numër të vogël aktesh. Sikurse shihet, përqindjen më të madhe të akteve penale e formojnë vrasjet 68,8 %, grabitjet 14,46 % dhe plagosjet 8,4 %.
- Grabitje
Grabitjet mund të ishin të qëllimshme, në rastet kur grabitësit identifikoheshin, ose të paqëllimshme. Me këto të fundit nënkuptoheshin rastet kur pretendohej se bagëtia nuk ishte grabitur, por ajo kishte humbur dhe ishte gjetur nga personi, i cili të shumtën e rasteve ia shiste një pale të tretë që ta hiqte duarsh. Në rast se pronari i bagëtisë e zbulonte ku gjendej bagëtia që kishte humbur dhe arrinte të dëshmonte para gjyqit karakteristikat e saj (që tregonte se e njihte mirë) dhe pala që e zotëronte nuk arrinte të vërtetonte pronësinë e saj, atëherë kafsha i kthehej të zotit, ndërsa personi që e kishte gjetur dhe shitur kafshën, detyrohej t’i kthente personit që ia kishte shitur shumën me të cilën ia kishte shitur. Në parim, preferohej kthimi në natyrë e armëve, objekteve apo kafshëve që ishin grabitur, mirëpo duke u pretenduar se ato mund të ishin konsumuar apo dëmtuar gjatë kësaj kohe, vlera e tyre konvertohej në para sipas vlerës së tregut dhe pajtimi arrihej kur paguhej shuma e përcaktuar. - Plagosje
Plagosjet ndaheshin në dy lloje, sipas shkallës së dëmtimit që kishin shkaktuar: në plagosje të lehta dhe plagosje të rënda (konsideroheshin plagosjet që shkaktonin dëme fizike të paripakurueshme; sakat). Pagesa e pajtimit për këto të dyja ishte më e rëndë, por më pak se 1250 groshë. - Vrasje
Sipas së drejtës osmane, që bazohej në të drejtën e sheriatit (ligji islamik), dënimi për vrasjen me paramendim ishte vetëm një; ekzekutimi i vrasësit. Ky dënim nuk ekzekutohet nga shteti vetëm në rastin kur pasardhësit e të vrarit pranojnë t’ia falin gjakun vrasësit. Në rast se vrasja është bërë pa paramendim, vrasësi duhet t’i paguajë një shumë pasardhësve të së vrarit. Pikërisht bazuar në këtë kontekst ligjor, shteti osman për të zbutur efektet e gjakmarrjes në perandori në përgjithësi dhe në Shqipëri në veçanti, krijoi komisionet e pajtimit të gjaqeve që pajtonin palët me pëlqimin e të dy palëve dhe i pajisnin me dokumentin përkatës të pajtimit. Nga regjistri i pajtimeve i viteve 1845-1846, mësojmë se shuma që duhej paguar për pajtimin e gjaqeve ishte përcaktuar me ferman të sulltanit dhe ishte 1250 groshë për person. Në rast se vrasësi kishte vrarë më shumë se një person nga një familje, ai duhej ta paguante këtë shumë për çdonjërin prej tyre. Mund të paguhej edhe më pak ose aspak, por kjo ndodhte kur dy palët pajtoheshin në këtë pikë, gjë që ndodhte shpesh kur vërtetohej se, ndërkohë pala e të vrarit mund të kishte vrarë apo plagosur rëndë një person nga familja e vrasësit dhe kjo e bënte përllogaritjen mes palëve nul. Në rast se nuk identifikohej personi vrasës, përgjegjës për pagimin e vlerës së gjakmarrjes, ishin banorët e fshatit ku kishte ndodhur vrasja, të cilët mblidhnin mes tyre shumën dhe ia dorëzonin atë palës të së vrarit përmes kryeplakut të fshatit, që quhej myhtar për fshatrat myslimanë apo koxhabash, për fshatrat e krishtera.
Për të dhënat e pasqyruara në tabela lexoni shkrimin e plotë në revistën ALBANON: https://albanica.al/albanon/article/view/123/98
Autori








